16/01/2022
Për çështjen e PAGAVE.
Është i çuditshëm qëndrimi represiv i administratës tatimore, e cila si shpesh herë, kërkon ta aplikojë forcërisht atë çka kërkon të aplikojë. Dhe është po aq i çuditshëm qëndrimi i "avokatëve" të biznesit. Të krijohet përshtypja se të dyja palët nuk e dinë për çfarë, ose më mirë, se për sa bëhet fjalë.
Më poshtë, le të trajtojmë rastin më tipik. Atë tē një kompanie të vogël, me 5 punëmarrës, të cilët paguhen 30.000 lekë neto në bankë, dhe të cilëve u paguhen edhe 30.000 të tjera në dorë, cash, NË TË ZEZË (nuk po trajtojmë evaduesit e pagave të mëdha si ajo e Baton Hagjisë).
Taksat e pagës (me marrëveshje fjale, do të quajmë si të tilla: së pari Tap-in, sipas shkallëve prej 0-13-23%, së dyti 27.9% kontributet e sigurimeve të të gjitha llojeve), janë krahasimisht të rënda. Nqs marrim parasysh, se punëmarrësi interesohet për pagën NETO, pra paga e cila i kalon në bankë PAS taksave, në kushte normale (kujdes me formulimin!), e gjithë barra e taksave të lartpërmendura bie mbi punëdhënësin. I cili do të tentojë të dredhojë, duke kërkuar bashkëpunimin ose nënshtrimin e punëmarrësit dhe duke bërë të mëposhtmet sipas rastit tonë hipotetik:
1. Deklaron një pagë Neto prej 30.000 lekë (bruto 34.432).
2 i jep në dorë, në të zezë, 30.000 të tjera
Si vendoset punëmarrësi?
Zyrtarisht ai merr 30.000 lekë më pak (dhe për këtë shumë do të kreditohet nesër nga banka) dhe gjithashtu do të përfitojë kontribute mujore (kupto: pension në të ardhmen) për gati gjysmën e shumës për të cilën realisht paguhet. Nëse bashkëshorti/ja ka barrën e deklarimit të të ardhurave, do të ketë edhe këtë hall.
Si vendoset punëmarrësi?
Në dukje të parë ai kursen (çka quajtëm më lart) barrën e taksave të kësaj pagës së fshehur. Por vetëm në dukje të parë, sepse në të vërtetë, ai; së pari po krijon probleme me cash flow-in dhe së dyti po humbet shpenzime formale (kupto: po paguan më shumë tatim fitimi dhe tatim ndaj dividentit) për 21.8% të çdo leku të paguar fshehurazi, të padokumentuar.
Nëse marrim parasysh efektin zbritës të tatim fitimit dhe të tatimit të dividentit, të cilat do t'i zbriten punëdhënësit nga efekti i formalizimit të pagave, do të (mbase) bindim punëdhënësin se vërtet ka dobi në formalizimin e pagave. Ama kjo s'bëhet forcërisht! Kjo bëhet duke argumentuar se "koeficienti i formalizimit" të pagës, për punëdhënësin mesatar shqiptar, është vetëm 20% (ose saktësisht 20.395%)!
Ekuacioni që shtrohet në këtë rast, nuk është pjesë e këtij teksti, ndonëse mund t'u ofrohet të interesuarve. Por punëdhënësi i mesëm shqiptar, ky i cili morëm në shembullin e mësipërm, le ta dijë se "kosto" e formalizimit të pagës 30.000 të paguar në të zezë, është 6.119 lekë (30.000 x 20.395%). Pra për 5 punonjësit, bëjnë gati 30.000 lekë më shumë në muaj, ose 360.000 në vit (përkatësisht 6.000 x 5 punonjës dhe 6.000 x 5 punonjës x 12 muaj).
Pra, i gjithë cirku që bëkëshin dhe rrisku që kalokëshin punëdhënësi dhe 5 punëmarrësit në vit, ky i pari se me demek kursen dhe këta të dytët duke hequr dorë nga pensioni i ardhshëm, na qenkëshin as 3.000 euro!!
Tani, hajde flasim me tatimpaguesit si zotërinj. Dhe jo me shkresa rrufe se jemi në 2022-ish e mori e mira.