11/06/2026
Në kuadër të fushatës Aftercare, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) zhvilloi sot takimin e radhës me kompaninë Forschner Albania, pjesë e grupit gjerman Forschner, e cila operon në Shqipëri që prej vitit 2015. Kompania është e specializuar në prodhimin dhe përpunimin e kabllove, sistemeve të lidhjes elektrike dhe komponentëve për industri të ndryshme, me fokus të veçantë në sektorin automotive.
Takimi u zhvillua në vijim të dialogut të vazhdueshëm që AIDA mban me investitorët ekzistues, me synim ndjekjen e ecurisë së aktivitetit të kompanisë, identifikimin e sfidave dhe ofrimin e mbështetjes institucionale për adresimin e tyre.
Gjatë diskutimeve, përfaqësuesit e kompanisë evidentuan nevojën për përmirësimin e infrastrukturës lidhëse, e cila ndikon drejtpërdrejt në efikasitetin e operacioneve të përditshme, si dhe rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit me institucionet e arsimit profesional për përgatitjen e një force pune të kualifikuar dhe të përshtatur me kërkesat e industrisë.
AIDA rikonfirmoi angazhimin e saj për të mbështetur investitorët ekzistues në Shqipëri, përmes dialogut të vazhdueshëm, koordinimit ndërinstitucional dhe adresimit të çështjeve që ndikojnë në zhvillimin dhe zgjerimin e aktivitetit të tyre në vend.